Nga QKUK-ja tregojnë për gjendjen e personave që u therën me thikë në Ferizaj
Një 10-vjeçare dhe një 29-vjeçare, që u theren me thikë ditën e hënë në Ferizaj, po vazhdojnë trajtimin në Mjekimin Intensiv të QKUK-së.
Shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, tha se viktimat kanë pësuar lëndime kryesisht në pjesën e gjoksit, ku edhe janë prekur edhe mushkëritë.
“Dy pacientet po vazhdojnë trajtimin, gjendja është relativisht stabile. Njëra është 10-vjeçare dhe tjetra 29. Po vazhdojnë të jenë nën veprimin e barnave të gjumit dhe të kyçura për aparaturë mjekësore”, tha ai për Telegrafin.
Ndryshe, katër persona janë therur me thikë ditën e hënë në Ferizaj, viktimat raportohet se ishin kalimtarë rasti, ndërsa janë sulmuar nga një burrë, i moshës rreth 59 vjeç.
Viktimat janë sulmuar në tri lokacione të ndryshme nga i dyshuari.
Dy nga viktimat po trajtohen në QKUK dhe dy tjerë në Spitalin e Ferizajt.
Policia ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar edhe është dërguar në mbajtje.
“Ferizaj / 11.11.2024 - 15:36. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se në tri lokacione të ndryshme në Ferizaj kishte sulmuar (therur me mjet të mprehtë –thikë) dy femra kosovare dhe dy meshkuj njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri shtetas kosovar. Si pasojë e lëndimeve viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ku dy prej tyre janë dërguar në QKUK. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe një dëshmitar rasti, i cili në rrjetin social Facebook ka shkruar se një nga sulmet ka ndodhur pikërisht para shtëpisë së tij.
Jeton Emini ka shkruar se një person i panjohur ka sulmuar për arsye të panjohura dy vajza, të cilat ishin mysafirë tek axha i tij.
“Po ju shkruaj që t’ju njoftoj që sot rreth 15:15 ka ndodhur një akt kriminal nga një person i moshuar (rreth moshës 59 vjeç), i cili për arsye ende të panjohura i ther dy vajza të mitura (të cilat ishin mysafir nga Podujeva tek axha im) dhe therjen e bënë mu para derës së shtëpisë sime. Ky person më pas vazhdon dhe ther pak metra më larg edhe një person tjetër (mashkull rreth moshës 30 vjeç), gjithashtu sipas informacioneve që kam marrë një tjetër therje ka bërë në një zonë tjetër të qytetit. Pra, 4 therje dhe ende nuk dihet motivi i saj”, shkroi ai.