Aliu: Tronditës rasti i therjes së katër qytetarëve në Ferizaj

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në këtë komunë, ku katër qytetarë u therën me thikë.

Ai e ka quajtur lajmin tronditës, duke theksuar se dy prej të lënduarve ishin të mitur, ndërsa dy të tjerë ishin të rritur.

Aliu ka bërë të ditur se autori i këtij akti kriminal u arrestua nga Policia e Kosovës brenda disa minutash.

Tutje shprehu se tani është koha që drejtësia të vendosë për këtë rast.

Në reagimin e tij, Kryetari Aliu ka kërkuar shërim të shpejtë për të lënduarit dhe ka përgëzuar Policinë e Kosovës në Ferizaj për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin në parandalimin e zgjerimit të këtij akti kriminal.

Siç bëhet e ditur, tre prej katër personave të lënduar po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se një prej viktimave, e moshës rreth 10 vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë.

“Janë tre, një është në gjendje të rëndë, në sallë të operacionit, prej ekipit kujdestar të Anestezionit, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë së fëmijëve, është diku 10-vjeçare,” tha Syla.