Sulmi me thikë në Ferizaj, një 10-vjeçare në gjendje të rëndë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në Ferizaj, ku një burrë ka ther me thikë 4 kalimtarë të rastit.

Siç bëhet e ditur, tre prej katër personave të lënduar po trajtohen në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se një prej viktimave, e moshës rreth 10 vjeçare, ndodhet në gjendje të rëndë.

“Janë tre, një është në gjendje të rëndë, në sallë të operacionit, prej ekipit kujdestar të Anestezionit, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë së fëmijëve, është diku 10-vjeçare,” tha Syla.

“Është gjendje e rëndë, në rrezik për jetë, është duke u operuar në sallë,” shpjegoi ai, duke shtuar se dy të plagosurit e tjerë janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Këta dy të tjerët janë në gjendje stabile,” përfundoi Syla.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, tha se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj nën masa të sigurisë.

Veseli gjithashtu konfirmoi se hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke analizuar vendet e incidentit dhe kanë gjetur një mjet të mprehtë, që besohet të jetë përdorur gjatë sulmit.

Policia thotë se ende nuk dihen motivet e këtij sulmi.