Kuvendi voton buxhetin e vitit 2025

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025.

Projektligji u votua me 59 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenime, duke hapur rrugën për ndarjen e buxhetit të ardhshëm.

Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.

Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.

Në Projektbuxhetin për vitin 2025 thuhet se gjatë vitit aktual ekonomia e Kosovës pritet të rritet për 4.5 për qind, duke vazhduar trendin e rritjes edhe vitin e ardhshëm, përkatësisht për 5.6 për qind.

Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë vitit 2025 thuhet se do të vijë nga konsumi privat, investimet private dhe publike, por edhe nga eksportet e mallrave dhe shërbimeve.

Projektbuxheti duhet të dalë edhe në shqyrtim të dytë, ndërsa në raste të caktuara del edhe në të tretin.

Ai duhet të miratohet më së largu deri në fund të 2024-ës. /telegrafi