Peci deklaron buxhetin për vitin 2025 për bujqësi: Do t’i arrijë mbi 90 milionë euro

Në seancën për buxhetin që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ministri i Bujqësisë Faton Peci ka thënë se buxheti për vitin 2025 për sektorin e bujqësisë është 90 milionë euro.

Madje, Peci tha se e kalon edhe shifrën e 100 milionë eurove me projekte që financohen nga partnerët ndërkombëtarë.

“Buxheti për sektorin e bujqësisë për vitin 2021, ka qenë 54 milionë euro. Ndërsa, borxhet e mbetura për fermerët nga viti 2020 ka qenë 41 milionë euro. Kanë aprovuar buxhet 54 milion euro, ku prej tyre 41 milion euro kanë qenë borxhe. Ne sot jemi duke prezantuar projektin më të madh në histori për sektorin e bujqësisë që është edhe përmbushje edhe zotim i dhënë publik. Për shkak se kemi deklaruar që do të jetë 100 milion euro buxheti për bujqësi, 90 milion euro është në buxhetin që po e prezantojmë, dhe nga partneriteti ndërkombëtarë”, tha Peci.

Ai ka thënë se vetëm buxheti me qeverinë gjermane që është i ratifikuar në Kuvend kap shifrën e 10.2 milionë euro shtesë buxhet.

“Ndërsa nëse flasim për sistemin e ujitjes nga Komision Evropian kemi 9.2 milionë euro duke mos përfshirë edhe shumë projekte të tjera të sektorit të pylltarisë. Ne po aprovojmë buxhet prej 90 milion euro e në anën tjetër në vitin 2022-2023, ne nuk i kemi mbetur borxh asnjë fermeri të Kosovës për të gjithë të mbjell urat që i kanë realizuar në teren”, tha Peci.

Peci tha se kur flitet për çështjen e buxhetit dhe të arriturave është shumë e rëndësishme të theksohet “që deri në fund të vitit përkrahja për sektorin e bujqësisë do të jetë rreth 300 milion euro, ku si rezultat i kësaj kanë përfituar 118 mijë përfitues vetëm në kategorinë e subvencioneve. Dhe 1003 përfitues në kategorinë e grandeve. Për secilin përfitues nga 118 mijë të subvencioneve e 1003 vetave le të tregon dikush se kur është një rast i vetëm i ndërhyrjes ose ushtrimit të ndikimit që unë e kam bërë”, tha Peci mes tjerash në paraqitjen e tij në Kuvend.