Avokati kërkon lirimin e Gjicit për arsye shëndetësore, shtyhet seanca

Gjykata e Elbasanit ka vendosur të shtyjë përsëri seancën për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, për datën 14 nëntor 2024, në orën 11:45.

Vendimi erdhi pasi Gjykata kërkon të ngrihet një grup prej tre ekspertësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore për të shqyrtuar dokumentacionin e gjendjes shëndetësore të Safet Gjicit.

Gjici nuk ka preferuar të jetë i pranishëm në seancë dhe ka kërkuar të përfaqësohet nga avokati Markelian Jançe. Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet i formës së rënduar. Avokati shprehet se këto problematika Gjici i ka pasur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka përkeqësuar edhe më tej shëndetin e tij.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit po vuan dënimin për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Në kërkesën e tij drejtuar gjykatëses Suela Lika, avokati mbrojtës u bazua në Nenin 59/a, pika C të Kodit Penal, sipas të cilit një i dënuar që ka mbetur më pak se 2 vjet heqje lirie mund të qëndrojë në shtëpi për shkak të gjendjes shëndetësore.

Safet Gjici, i dënuar me tre vjet burgim, ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim të mbetur. Ndërkohë, aktualisht ai gjendet i hospitalizuar në një spital privat.