Lekaj kritikoi ashpër buxhetin, reagon Durmishi: Kudo ku preku dora jote përbën krim e korrupsion

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka folur për inflacionin, me të cilin po përballen qytetarët.

Lekaj ka thënë se përderisa kjo çështje është problematike për qytetarët, zyrtarët shtetërorë janë zhytur në luks.

“Jemi dëshmitarë të rritjes së shpenzimeve të panevojshme për zyrtarët kur qytetarët po përballen me inflacion të lartë, ndërkohë familjet e Kosovës përpiqen të sigurojnë ushqimin bazik, Qeveria vazhdon në luks. Kjo është mungesë e thellë e ndjeshmërisë ndaj popullit”, tha Lekaj.

Ai shtoi se buxheti i vitit të ardhshëm nuk përmban asnjë projekt të madh kapital me të cilin do të krenohej shteti i Kosovës.

“Ky buxhet nuk përmban asnjë projekt të madh kapital që do të krenohej shteti dhe qytetarët e Kosovës. I ka lënë veteranët me 204 euro pagë mujore, i ka lënë qytetarët me pagë minimale 320 euro. Ky buxhet është ofendues. Ky buxhet është edhe gënjeshtër për rininë e Kosovës se nuk përfshin ndërtimin e 4 mijë shtëpive për çiftet e reja që ka qenë premtim i qeverisë. Ky buxhet është fyerje e shpresës për familjet e të zhdukurve të Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së tha se deputetët e mazhorancës dhe kabineti qeveritar sot janë më të zbehur.

“Keni ardhur në pushtet me një shkëlqim dhe sot po ju shoh të zbehur, sepse asnjë ministër s’ka me çka me u krenu për vitin 2025, apo për këtë mandat katërvjeçar”, shtoi tutje Lekaj.

E ndaj këtyre deklaratave përmes një postimi në Facebook, ka reaguar zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Durmishi duke iu referuar Lekajt si “hajn” tha se aty ku ka prekur dora e tij përbënë krim e korrupsion.

“Pal Leku, ky hajn i dëshmuar tashmë edhe me vendim gjykate del e flet për projekte infrastrukturore. Kudo ku ka prekur dora e tij përbën krim e korrupcion, përfshirë edhe rrugën Dollc – Gjakovë”, shkroi Durmishi.