Haxhiu: Me LVV-në në pushtet u rritën pagat e politikanëve, për punëtorët s’pati ndryshim

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë rritjen që po e përmend qeveria “Kurti”, ajo është rritje e çmimit dhe se çdoherë në qeveritë e kaluara ka pasur rritje të buxhetit për 24 për qind, ndërsa tani po ndodh vetëm 8.8 për qind.

Sipas tij, ka gjakderdhje financiare dhe masakrim të buxhetit për nevojat e pushtetarëve.

“Kjo rritje është si pasojë e rritjes së çmimit dhe inkasimit të TVSH-së. Nëse e krahasojmë me buxhetet e kaluara, vitet 2007-2023, ka pasur projeksion të rritjes së buxhetit çdo herë në shumën 24 për qind, dhe kjo është qeveria që këtë rritje të buxhetit e bjen me 8.8 për qind dhe lavdërohet me këtë.

Përveç gjakderdhjes financiare kemi masakrim të buxhetit për nevoja të pushtetarëve në dëm të qytetarëve”, tha Haxhiu i PDK-së.

Sipas Haxhiut, me LVV-në në pushtet janë rritur vetëm pagat e politikanëve, ndërsa ato të punëtorëve ai tha se s’kanë pasur ndryshim.

Ai tha se në vitin 2016 zyra e Presidentit kishte 70 punësuar, ndërsa me buxhetin e vitit 2025 janë 83 të punësuar dhe ka dyfishim të buxhetit për paga dhe mëditje.

“Pagat e politikanëve janë rritur me LVV-në në pushtet, ato të punëtorëve nuk kanë pësuar ndryshim. Zyra e Presidentit në vitin 2016 kishte 70 të punësuar, në total për paga e mëditje 770 mijë euro, sot me buxhetin e vitit 2025, ka 83 të punësuar me 1.4 milionë euro paga e mëditje. Për mallra e shërbime në vitin 2016 ishin një milion e 189 mijë euro, tani në vitin 2 milionë e gjysmë”.

“Zyra e Kryeministrit i ka 609 të punësuar, ndërsa vetëm kabineti i Kryeministrit 109 të punësuar. Këta që i kanë kritiku krejt qeveritë e kaluara, i kanë rritë numrat në kabinetin e tyre, deri aty sa që kemi dyfishim të vlerës për paga dhe mëditje në zyre të Kryeministrit. 5 milionë e 314 mijë euro për paga mëditje, 6 milionë e 50 mijë euro për subvencione e transfere, dhe nëse i krahasojmë me pagat e vitit 2014 kur Kryeministër ishte Hashim Thaçi, atëherë ishin 3 milionë e 600 mijë euro, pra dyfish ma pak se tani me Kurtin, e tani së bashku me paga mëditje e subvencion e transfere është 19 milionë. Kjo është gjakderdhje financiare për nevojat e politikanëve, e që se qajnë hallin për qytetarët”, tha Haxhiu në Kuvendin e Kosovës.