Therje me thikë afër shkollës “Sami Frashëri”, tre të lënduar

Tre persona janë lënduar, dy prej të cilëve dyshohet që lëndimet i kanë marrë nga një mjet i prehtë gjatë një rrahjeje afër shkollës “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

E njëjta ka thënë se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka arrestuar të dyshuarin.

“Sot rreth orës 13:00 kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën ‘Ali Hadri’ në Prishtinë. Duke u bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se lëndimet i kanë pësuar nga një mjet i mprehtë. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka arrestuar një person të dyshuar dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, deklaroi ajo.