Vdekja tragjike e zyrtarit të FSK-së, reagon KMLDNJ-ja: Të shtohet numri i inspektorëve të punës
Pas vdekjes tragjike të një pjesëtari të FSK-së të shtunën e javës së kaluar, pasi ra nga një objekt banesor në rrugën “Gucia” në Prishtinë, ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).
Përmes një reagimi për media nga KMLDNJ-ja kërkojnë të shtohet numri i inspektorëve të Komunës, si dhe të ekipeve mobile që do të inspektonin kantieret e ndërtimit.
“KMDLNJ-ja edhe më parë ka kërkuar që punëtorët në ndërtimtari të kenë kushte të përshtatshme për punë duke mos iu ekspozuar rrezikut nga lëndimet apo për jetën e tyre. Me rënien e temperaturave, kushtet për punë përkeqësohen, andaj kërkohet angazhim shtesë i përgjegjësve (punëdhënësve) e që duket se nuk po ndodhë. KMDLNJ ka kërkuar që të shtohen numri i inspektorëve të punës , ekipeve mobile që do të inspektonin kantieret e ndërtimit , nëse respektohen rregullat apo standardet për të punësuarit e që do të garantonte sigurinë e tyre”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i KMDLNJ-së:
Limon Musliu, pjesëtar i FSK-së, humbi jetën, pasi ra nga kati i 11-të i një ndërtese ku ishte duke punuar, si punë shtesë. KMDLNJ-ja edhe më parë ka kërkuar që punëtorët në ndërtimtari të kenë kushte të përshtatshme për punë duke mos iu ekspozuar rrezikut nga lëndimet apo për jetën e tyre. Me rënien e temperaturave, kushtet për punë përkeqësohen, andaj kërkohet angazhim shtesë i përgjegjësve (punëdhënësve) e që duket se nuk po ndodh.
KMDLNJ ka kërkuar që të shtohen numri i inspektorëve të punës, ekipeve mobile që do të inspektonin kantieret e ndërtimit, nëse respektohen rregullat apo standardet për të punësuarit e që do të garantonte sigurinë e tyre. Megjithatë duket se është një mospërputhje e madhe midis numrit të vogël të inspektorëve të punës dhe vendeve të shumta që duhet të inspektohen në fushën e ndërtimit andaj KMDLNJ-ja rekomandon institucionet të angazhojë ndonjë kompani të specializuar që ka kapacitet fizik dhe profesional të mbikëqyrë vend-punimet në mënyrë që të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen. Gjykatat duhet t’i japin përparësi trajtimit të këtyre rasteve duke mbrojtur interesat e punëtorëve që pësojnë lëndime, invaliditet apo kanë përfundim fatal. Zhdëmtimi, siç është bërë deri më tani as për së afërmi nuk përmbush nevojat e viktimave dhe familjeve të tyre.
Është njëra ndër të drejtat elementare të njeriut që i punësuar përmes punës dhe pagës ta sigurojë një jetë të dinjitetshme për vete dhe familjen gjë që nuk është përmbushur në rastin e Limon Musliut, i cili, përveç punës në FSK, ka qenë i detyruar ta bëjë edhe një punë shtesë e që i ka kushtuar me jetë. KMDLNJ-ja kërkon përgjegjësi për ata që kontribuuan për këtë përfundim tragjik sikur që kërkon drejtësi për të ndjerin dhe familjen e tij.
11 nëntor 2024, Prishtinë