SPAK-u thirrje deputetëve: Thoni jo këtij buxheti!
Sindikata e Administratës së Pavarur të Kosovës (SPAK) u ka bërë thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mos e votojnë buxhetin për vitin 2025, në formën si është sjellë në Kuvend.
“Votimi eventual i buxhetit nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025 është një pabesi, nënçmim dhe tradhti për pensionistët, ushtarët, policët, zjarrfikësit, shërbimin civil, mjekët, infermierët, edukatorët, mësuesit dhe profesorët. Ky veprim është një tallje me të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët patën shpresë se kësaj radhe kjo qeveri do të kujdeset për këto kategori duke reflektuar rritjen e pagave, me qëllimin e vetëm përballimin e kostos së lartë ekonomike dhe çmimeve të papërballueshme”, ka thënë Ali Gashi, kryetar i SPAK-ut.
“Apeli ynë si Sindikatë e Administratës së Pavarur të Kosovës, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është të mendoni për një moment për prindërit tuaj pensionistë, fëmijët tuaj ushtarë e policë, zjarrfikësit, edukatorët, mësuesit e profesorët që ju mësuan, si dhe për shërbimin civil që çdo ditë ju mbështesin në punën tuaj. Mendoni për minatorin dhe punëtorin e KEK-ut, infermierin dhe mjekun që na ndihmojnë gjithmonë. Në fund, mendoni për kategoritë e dala nga lufta, ku gjaku dhe djersa e tyre ju dhanë juve dhe neve një jetë të lirë”.
“Sot keni mundësinë të tregoni se vota juaj është në shërbim të plotë dhe të sinqertë për këto kategori. THUAJ JO KËTIJ BUXHETI!”, theksohet në komunikatën e nënshkruar nga kryesidikalisti i Administratës Publike.