Ministria dënon sjelljen e trajnerit ndaj sportistes së taekwondos

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka dënuar incidentin e trajnerit të taekwondos, Valmir Fetiu, duke thënë se ky rast i dhunës është shkelje e rëndë e parimeve të edukimit sportive dhe të kujdesit për fëmijët.

Zëvendësministrja Daulina Osmani ka thënë se sjellja e trajnerit ndaj sportistes 8-vjeçare është e papranueshme “dhe nuk përfaqëson asgjë që sporti duhet të jetë – hapësirë për zhvillim, mbështetje dhe frymëzim për të rinjtë”.

“Përderisa Federata Evropiane e Taekwondos ka ndërmarrë masa ndaj trajnerit, Këshilli Kundër Dukurive Negative në Sport ka proceduar rastin në prokurorinë kompetente dhe i ka kërkuar Federatës së Taekwondos të Kosovës të veprojë menjëherë për të shqyrtuar veprimtarinë e trajnerit në sistemin sportiv. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa të shpejta për të adresuar rastin në fjalë dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Dhuna nuk ka vend në asnjë sport, veçanërisht ndaj fëmijëve që janë ende duke u zhvilluar dhe kanë nevojë për mbështetje, jo për frikësim. Është detyra jonë të krijojmë ambient të sigurt, ku fëmijët ndihen të lirë dhe të frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre sportive. Dhuna nuk ka vend në këtë mision”, thuhet në reagimin e saj në Facebook.