“Gërvalla, fajtore për mossuksesin e diplomacisë së Kosovës”

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, tha se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla e kanë përshëndetur fitoren e Donald Trumpit si president i 47-të i SHBA-së dhe, siç tha, mezi e presin bashkëpunimin me të. Kjo deklaratë pasoi reagimet e njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësuan se deklaratat e bëra në vitin 2021 kundër administratës “Trump” mund të sjellin pasoja për vendin.

Pa dashur t’i komentojë deklarimet e ministres së jashtme, Donika Gërvalla, në vitin 2021 kundër administratës “Trump” zëvendësministri i jashtëm Kreshnik Ahmeti tha se kryeministri Kurti dhe kryediplomatja Gërvalla mezi presin bashkëpunimin me presidentin e 47-të të SHBA-së, Donald Trump.

“Siç e dini, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla e kanë uruar presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë dhe vullnetin për të punuar bashkë për paqe dhe progres. SHBA-ja është aleate, partnere dhe mike jona kryesore dhe si të tillë kemi shumë fusha me interes të përbashkët në të cilat do të punojmë ngushtë”, ka thënë Ahmeti për rtv21.

Përkundër qëndrimeve të atëhershme të Gërvallës dhe zërave se presidenti Trump mund ta ndryshojë kursin e bashkëpunimit me Kosovën, ish-drejtori i përgjithshëm i MPJD-së, ambasador Albert Prenkaj, thotë se Amerika ka politikë njëkahore dhe nuk e ndryshon aq lehtë kursin e saj, por, siç nënvizon, deklaratat kundër administratës “Trump” mund të mos kalojnë pa pasoja për Kosovën.

“Deklaratat ruhen dhe deponohen në Departamentin e Shtetit”, tha Prenkaj.

Trumpi shërbeu si president i SHBAsë nga viti 2016 deri në vitin 2021, me të humbur zgjedhjet, eksponentë institucionalë të Kosovës, duke përfshirë kryediplomatën Gërvalla u lëshuan në deklarata fyese kundër administratës “Trump”. Në këtë kuptim ish-diplomati, Blerim Canaj fajëson ministren Gërvalla si fajtoren kryesore për, siç thotë, dështim në diplomaci.

“Fajtore kryesore pse vendi është këtu ku është, është Donika Gërvalla çka i duhet Gërvallës t’i bëjë ato deklarata fyese ndaj Grenell dhe Trump kush është Gërvalla t’i bëjë ato deklarata dhe mos harroni se Gërvalla shkon institucioni mbetet natyrisht se sjellin pasoja”, tha Canaj për rtv21.

Trumpi u rikthye si president i 47-të i SHBA-së, i cili bëri historinë si presidenti më i moshuar që ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.

Gjithashtu Trump kur të japë betimin do të shënohet në histori si presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe 47-ti, dhe po ashtu si presidenti i parë i cili është përballur me dy procese gjyqësore dhe i pari president që është dënuar për një krim.