Buxheti prej 3.6 miliardë eurove për vitin 2025, sot seancë Kuvendi

Kuvendi i Kosovës sot mban seancën plenare, duke filluar nga ora 10:00.

Në rend dite është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Ky projektbuxhet, në vlerë prej 3.6 miliardë eurove, përfshin rritje të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturën publike, duke synuar përmirësime të mëdha në këto sektorë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, para kabinetit qeveritar kishte thënë se ndarja e buxhetit do të bëhet në fusha të caktuara, duke thënë se 930 milionë do të jenë për investime kapitale.

“916 milionë euro për paga në sektorin publik. 105 milionë euro për nevojat e shëndetësisë, 87 milionë euro për siguri dhe mbrojtje, investime kapitale kemi ndarë 930 milionë euro”, tha ai.

“Rritja e buxhetit ka qenë si asnjëherë më parë. Për vitin 2025, buxheti i shtetit do të jetë mbi tre miliardë euro, pra rreth 300 milionë më i lartë se i vitit 2024”, pohoi Kurti.

Ai ka thënë se me rritjen e pagave për sektorin publik, nga viti 2025, paga mesatare do të jetë 870 euro.

Kurti ka njoftuar se 105 milionë euro janë ndarë për nevoja të shëndetësisë, me qëllim që të sigurohen barnat esenciale, ndërsa 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje furnizime të nevojshme “që Policia e ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet”.

Kalimi i projektligjit bëhet përmes shumicës së thjeshtë të deputetëve 50+1 për qind.