Lajçaku do të flasë në Zvicër për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se javën e ardhshme në Zvicër do të mbahen diskutime për zbatimin e marrëveshjeve të fundit të arritura mes Kosovës dhe Serbisë nga takimi i fundit mes kryenegociatorëve

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohen diskutime në Gjenevë për takimin e fundit në mes të dyja palëve.

Ai ka potencuar se fokusi i këtyre bisedimeve do të jetë te marrëveshjet e arritura gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve.

“Për t’u kthyer te fushat e mia kryesore të punës, do ta nis javën në Gjenevë të Zvicrës me diskutime të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Kjo javë do të përqendrohet në ndjekjen e asaj që u ra dakord gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve”, shkroi Lajçaku në Facebook.

Takimi i fundit u zhvillua më 24 tetor, ku kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, raportuan përparime në disa pika.