Rodri e këshillon Cityn ta transferojë mesfushorin spanjoll

Manchester City po kalon ditët më të zeza nën udhëheqjen e Pep Guardiolas.

Të plagosur nga lëndimet, kampioni në fuqi i Anglisë është mposhtur në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke nisur nga Tottenhami në Carabao Cup, Bournemouthi e Brighton në Premier League e Sportingu në Ligën e Kampionëve.

City tashmë është pesë pikë larg Liverpoolit në garën për titull në elitën e futbollit anglez.

Mesfusha ka qenë një nga pikat më të dobët të Cityt në këtë sezon, me “Topin e Artë”, Rodrin që u lëndua në takimin ndaj Arsenalit në shtator.

Mateo Kovacic ka performuar mirë, mirëpo luan më lartë në fushë se Rodri, teksa periudha e dytë e Gundogan te “Cityzens” nuk po shkon mirë.

City rrallë bën transferime në janar, mirëpo kësaj here duket se e ka të detyrueshme, me klubin anglez që ka në dispozicion 100 milionë funte për ta gjetur zëvendësuesin e Rodrit.

Sipas “Daily Star”, edhe vetë Rodri i ka bërë me dije Cityt që duhet ta gjejë një zëvendësues të tij, për mos të rënë më shumë në aspektin e lojës.

Rodri i ka thënë klubit anglez që duhet t’i kthejë sytë kah ylli i Real Sociedadit, Martin Zubimendi.

Ky i fundit luajti rol të madh për Spanjën në fitimin e “EURO 2024”.

Ndonëse nuk është i fuqishëm sa Rodri, i përngjan në disa aspekte të tjera të lojës.

Zubimendi ka një klauzolë lirimi nga Real Sociedadi që kap shifrën e 60 milionë funteve.