Përurohet kompleksi memorial për ushtarët e UÇK-së në fshatin Marec

Në fshatin Marec të Prishtinës, u përurua kompleksi memorial i dëshmorëve dhe martirëve. Me dhimbje e krenari u përkujtuan të rënët, ndërsa pati kritika për zvarritjen e këtij kompleksi ndër vite. Kryetari i komës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se ndihet krenar për finalizim të kompleksit memorial në nderim të dëshmorëve me vepra.

Ish ushtar i UÇK-së dhe familjar është i lumtur që të rënët kanë një kompleks memorial në fshatin Marec të komunës së Prishtinës.

“Përkundër dhimbjes që ndjejmë dhe mungesës që kemi për të afërmit tonë dita e sotme shënon një gëzim të madh si familjar të dëshmorëve sepse pas gati 25 vitesh është arritur që ky projekt të finalizohet duke e falënderua komunën e Prishtinës”, tha Sevadim Vitia, vëlla i dëshmorit Sefedin Vitia.

Përurimin e këtij kompleksi memorial të dëshmorëve e martirëve e bënë ish-komandantë të zonës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e familjarë të të rënëve.

Kritika pati për zvarritjen e ndërtimit të këtij kompleksi në qeverisjet lokale të kaluara.

“Gjokset e këtyre trimave mbrojtën mbi 40 mijë banorë të përndjekur nga vatrat e tyre. Armiku brenda territorit të Marecit vrau dhe masakroj mbi 14 civil të pafajshëm 9 prej tyre pleq të paralizuar, 2 me të meta psikofizike dhe 3 mysafir të ardhur në Marec”, tha Behxhet Vitia, ish komandant.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se heronjtë duhet nderuar me vepra teksa tha se ndihet krenar që me përkushtim është arritur finalizimi i kompleksit merorial

“Sot jemi këtu për të përuruar finalizimin e tij si një simbol të vendosmërisë tonë. Fal bashkëpunimit të palodhshëm të sektorit për kategoritë e dala nga lufta që kemi në institucionin tonë. Sot ky projekt u bë realitet është një bashkëpunim që i kalon kufijtë e politikës dhe burokracisë duke na bashkuar me respekt për historinë dhe trashëgimin tonë të përbashkët”, tha Rama.

Në ato ditë të përballjes të madhe të UÇK-së me forcat paramilitare, zhvilluan një luftë titanike duke ndaluar depërtimin e forcave serbe në drejtim të popullatës civile e cila ishte e strehuar në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Emocion për mua është fakti se sot në këtë përurim të këtij kompleksi shumë prind të dëshmorëve e martirëve nuk janë në mesin tonë, që të shohin se eshtrat e bijëve të tyre po prehen në një vend ashtu siç ata e meritojnë”, tha Sylë Vitia, sektori për kategoritë e dala nga lufta UÇK-së.

Me program artistikë u përmbyllë ceremonia e përurimit të kompleksit memorial të martirëve dhe dëshmorëve në fshatin Marec të Prishtinës.