Plagoset me armë zjarri një person në Fushë-Kosovë

Një person është plagosur sot në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë-Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00, dhe se viktima është dërguar për tretman mjekësor.

“Sot rreth orës 13:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka shtuar se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.