Sulmet izraelite vrasin dhjetëra njerëz në Liban dhe Gazë

Bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz në Liban dhe në Rripin e Gazës të dielën, thonë zyrtarët.

Një sulm ajror izraelit i vrau të paktën 23 njerëz në fshatin Almat, në veri të Bejrutit dhe në pjesë jugore dhe lindore të Libanit, ku grupi militant Hezbollah ka prani. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se gjashtë njerëz u plagosën. Izraeli nuk e ka komentuar sulmin ende.

Në veri të Rripit të Gazës, një sulm izraelit mbi një shtëpi që po strehonte njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve në Xhabalia, vrau të paktën 17 njerëz, sipas drejtorit të një spitali aty pranë, i cili i pranoi trupat e viktimave.

Fadel Naim, drejtor i Spitalit Al-Ahly në qytetin Gaza, tha se në mesin e të vdekurve janë nëntë gra, dhe se numri i të vdekurve mund të rritet.

Ushtria izraelite tha se e sulmoi një zonë ku militantët po vepronin në Xhabalia, pa dhënë dëshmi për këtë.

Forcat izraelite i kanë rrethuar dhe izoluar Xhabalian dhe qytetet përreth si Beit Lahiya dhe Beit Hanoun gjatë muajit të fundit, duke lejuar vetëm një sasi të vogël ndihme humanitare të hyjë. Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i ofensivës më 6 tetor, dhe dhjetëra mijëra janë zhvendosur.

Izraeli godet gjithnjë e më thellë në Liban

Hezbollahu filloi të hedhë raketa dhe dronë në Izrael pasi shpërtheu lufta në Gaza në tetor 2023, në mbështetje të palestinezëve dhe grupit militant të mbështetur nga Irani, Hamas.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Edhe Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Izraeli u hakmor ndaj Hezbollahut dhe një sërë përshkallëzimesh për disa muaj çuar drejt luftës së përgjithshme mes tyre në shator, kur Izraeli kreu një valë sulmesh të rënda dhe vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe shumicën e komandantëve të tij kryesorë.

Prej atëherë, Izraeli ka goditur zona gjithnjë e më thellë brenda Libanit, ndërsa Hezbollah ka zgjeruar sulmet me raketa nga veriu në qendër të Izraelit. Luftimet kanë vrarë mbi 3.000 njerëz në Liban, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dhe më shumë se 70 njerëz në Izrael.

Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi hapën thyen mbrojtjet kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023. Ata i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Rreth 100 pengje janë ende brenda Gazës, dhe besohet se një e treta e tyre janë të vdekur.

Lufta e Izraelit i ka vrarë mbi 43.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Si pasojë e bombardimeve dhe luftës tokësore të Izraelit, shumica e Gazës është rrënuar plotësisht dhe rreth 90% e popullsisë prej 2.3 milion njerëz është zhvendosur, shpesh herë në mënyrë të përsëritur.

Qindra mijëra njerëz po jetojnë në kampe me tenda të mbipopulluara, me shumë pak ose aspak shërbime publike dhe pa asnjë ide se kur mund të kthehen në shtëpitë e tyre ose të rindërtojnë.

Bisedimet për një armëpushim të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti janë bllokuar vazhdimisht që nga fillimi i vitit, po ashtu si dhe përpjekjet paralele nga SHBA dhe vende të tjera për të ndalur luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Katari, i cili ka shërbyer si ndërmjetës kryesor me Hamasin, tha gjatë fundjavës se i ka pezulluar përpjekjet e tij dhe do t'i rifillonte vetëm kur "palët të tregojnë vullnetin dhe seriozitetin për t’i dhënë fund luftës brutale dhe vuajtjeve të vazhdueshme të civilëve". /Rel