Bajrami i reagon ministrit Murati: Manipuluesi më i madh i Qeverisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se, për katër vite të qeverisjes Kurti për shkak të luftës së pakompromis ndaj kontrabandës janë dyfishuar të hyrat tatimore.

Bajrami i tha Muratit “manipuluesi më i madh i Qeverisë”.

Ajo e ka kritikuar ministrin “për katër vjet s’ka qenë në gjendje me e zgjedhë një drejtor kredibil të ATK-së”.

“Kush po fol, Hekurani, ministri i cili për katër vjet s’ka qenë në gjendje me e zgjedhë një drejtor kredibil të Administratës Tatimore të Kosovës, ATK. Ministri i cili që dy vite e gjysmë e mban jashligjshëm pa mandat në ATK drejtorin e zgjedhur nga Qeveria e PAN-it”.

Bajrami tha se “nuk ka kurrfarë baze” supozimi i Muratit se importi duhet të jetë 61 për qind e Bruto Produktit Vendor.

“Me fol profesionalisht, supozimi se importi duhet me qenë 61% e Bruto Produktit Vendor nuk ka kurrfarë baze, mandej rritja e konsumit prej importit që ministri e bënë duke krahasu vlerat absolute sepse kështu i leverdisë po harron se vjen si rezultat i rritjes se çmimeve gjatë katër viteve të fundit. Kjo veç luftë kundër kontrabandës nuk është”, ka shkruar ndër të tjerash Bajrami.

Ajo iu drejtua Muratit duke thënë se në vitin 2015 nuk ka pasur inflacion por deflacion.

“Hekuran, në vitin 2015 nuk ka pasë inflacion (rritje të çmimeve) ka pasë deflacion (rënie të çmimeve) për -0.54%, ndërsa inflacioni (rritja mesatare e çmimeve) në vitin 2022 ka qënë 11.6%”.

Bajrami në fund ka thënë se 2.8 miliardë euro ka qenë deficiti tregtar kur e ka marrë Murati postin e ministrit ndërsa tani është 5 miliardë.

“Në fund përballë supozimeve dhe manipulimeve të Hekuranit ka një të vërtetë, ajo e vërtetë burimin e ka në Agjencinë e Statistikave të Kosovës: më vlera absolute kur Hekurani ka shku në zyre deficit tregtar ka qenë 2.8 miliardë Euro, sot deficit tregtar është mbi 5 miliardë euro (deficit tregtar është dallimi mes mallrave që shesim jashtë vendit dhe atyre që blejmë jashtë vendit), Shihni grafin me poshtë:”