Kur ra Muri: Nata e nëntorit që ndryshoi historinë [foto]
Si erdhi deri te shembja e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989? Një konferencë shtypi, një deklaratë e papritur dhe një natë që ndryshoi botën.
Muri i Berlinit ishte simboli i ndarjes mes Lindjes dhe Perëndimit, mes komunizmit dhe kapitalizmit: Muri i ngritur në Berlin më 1961 nga regjimi diktatorial i Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ). Pjesa perëndimore ishte një zonë 155 km e rrethuar me beton e tela me gjemba, por megjithatë njerëzit në këtë zonë mund të lëviznin anë e mbanë të lirë. Berlini Perëndimor ishte, pra, një ishull i lirisë në mes të territorit të RDGJ-së komuniste.
Në të kundërt, për shumicën e gjermano-lindorëve që ishin kaq pranë Perëndimit për dekada, Berlini Perëndimor ishte si toka e ëndërruar. Kjo ndryshoi rrufeshëm më 9 Nëntor 1989, kur në një konferencë shtypi të transmetuar drejtpërdrejt në televizion në Berlinin Lindor u shpall ligji i ri për udhëtimet jashtë vendit. Në bazë të këtij ligji do të lejoheshin edhe udhëtimet në Perëndim – ligji hynte në fuqi menjëherë!
Pamjet e njerëzve duke brohoritur në kalimet e hapura kufitare në Berlin u përhapën në mbarë botën. Ato shënuan në mënyrë emocionuese fundin faktik të ndarjes gjermane. Një vit më pas, më 3 Tetor 1990, vendi i ndarë politikisht pas fundit të Luftës së Dytë Botërore festoi ribashkimin. Kjo ngjarje historike botërore u bë e mundur vetëm pasi ranë dakord katër fuqitë fituese të luftës: aleatët perëndimorë demokratë SHBA, Britania e Madhe dhe Franca nga njëra anë, dhe Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) nga ana tjetër.
Fjalët magjike "Glasnost" und "Perestroika"
Vendimtare për këto ndryshime ishin lëshimet që pati bërë kreu i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbaçov, i cili mori e mori pushtetin në Moskë në vitin 1985. I këtij mendimi është drejtori i memorialit Muri i Berlinit, Axel Klausmeier.
Ai thekson se politika e hapjes (Glasnost) e Gorbaçovit dhe ajo e rinkonstruktimit (Perestroika) shënuan shkëputjen prej së ashtuquajturës "Doktrina Brezhnjev", që përcaktonte, se vendet europiane të bashkuara në "Traktatin e Varshavës" nuk duhej të devijonin nga kursi, që përcaktonte Kremlini.
Klausmeier fundin e kësaj dogme e përshkruan përmbledhtas: "Çfarëdo që të ndodhë në shtetet vëlla socialiste, këto shtete janë vetë përgjegjëse për vetveten".
Ndryshe nga dekadat e mëparshme, sovjetikët nuk ndërhynë, kur në Poloni, Hungari e në RDGJ u shtuan lëvizjet për reforma. Para erës së Gorbaçovit lëvizjet për liri në vendet e Bllokut Lindor ishin mposhtur brutalisht prej BRSS-së: Në vitin 1953 në RDGJ, në 1956 në Hungari dhe në 1968 në Çekosllovaki.
Fundi i monopolit të pushtetit në Poloni
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në mbarë Europën Lindore ndiheshin të inkurajuar për të imponuar edhe në vendet e tyre Glasnostin dhe Perestroikën.
Në Poloni, në verën e vitit 1988, pati kontakte mes udhëheqjes komuniste dhe sindikatave Solidarnost, të ndaluara zyrtarisht. Një etapë e rëndësishme në këtë rrugë ishin edhe zgjedhjet parlamentare në Poloni në qershor 1989, ku për herë të parë u lejuan edhe kandidatë të opozitës. Megjithatë pushtetarët që qeverisnin prej dekadash paraprakisht u kujdesën që të fitojnë dy të tretat e votave.
Edhe në vende të tjera u shtuan shenjat për një kthesë. Në Hungari qeveria në maj pati nisur të heqë komplekset e vrojtimit në kufirin me Austrinë. Në këtë mënyrë u hap rruga drejt lirisë në këtë pjesë të Perdes së Hekurt. Qindra qytetarët të RDGJ-së përmes kësaj rruge u larguan nga vendi i tyre.
Njëkohësisht në verën e vitit 1989 disa mijëra gjermano-lindorë u strehuan në ambasadat perëndimore në vendet e Europës Lindore. Pakënaqësia rritej dita ditës e bashkë me të edhe presioni ndaj regjimit të RDGJ-së në Berlinin Lindor.
Nga shtatori në qytetin e panaireve. Leipcig, çdo të hënë dhjetra mijëra qytetarë protestonin në rrugë. Kulmin e shënoi marshimi më 9 tetor, kur dolën në rrugë 70.000 vetë duke protestuar paqësisht për të kërkuar ndryshimin në RDGJ.
"Ne kemi fituar"
Parrullat e demonstruesve ishin „Ne jemi populli!" dhe "Jo dhunë!". Meqënëse nuk dihej si mund të reagonte regjimi i RDGJ-së, frika ishte jashtëzakonisht e madhe, siç i kanë pohuar shumë dëshmitarë të kohës drejtorit të Memorialit të Murit të Berlinit, Klausmeier. Përderisa nuk pati ndërhyrje kundër kësaj demonstrate, edhe opozita pati ndjesinë:„Ne kemi fituar."
Më 9 Nëntor më në fund arriti pika kulmore: Günter Schabowski, kryetari i Partisë së Bashkuar Socialiste (SED) në Berlinin Lindor shpalli ligjin e ri për udhëtimet jashtë shtetit. Me këtë deklaratë, ai pa dashje shkaktoi rrëzimin e Murit të Berlinit dhe hapi rrugën për ribashkimin.