Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti

Janë ngritur çmimet e disa produkteve blegtorale në treg, kurse kanë pësuar rënie në çmim disa produkte bimore. Lëvizjet e tilla të çmimeve, vlerësohen të jenë vështirë të përballueshme për konsumatorët.

Konsiderohen si produktet bazë.

Por lëvizjet e çmimeve të tyre, janë bërë krejt të zakonshme.

Shtrenjtimi i produkteve ushqimore, vlerësohet se po bëhet i papërballueshëm për konsumatorët.

“Janë rritje shumë drastike, e që janë shumë të rana për buxhetet tona familjare. Sidomos për ata që e kanë vetëm një pension prej 120 euro, ku mundet ai me ato pare me kry punë? A me i kry shërbimet komunale, a me i siguru ushqimet për familje?”, tha qytetari Vesel Veseli.

“90% jemi raste sociale në krahasim me çmimet që ngriten. Dhe ato thjesht nuk kanë të ndalur, kështu që kjo ka kalu në një përditshmëri, e zakonshme. Brenda 24 orëve tri deri në katër herë ndërrohen çmimet. Është abnormal”, tha një tjetër qytetar, Blerim Krasniqi.

Ka prej atyre që bëjnë dallime mes çmimeve në Kosovë dhe me vendet në perëndim.

“Me shtrenjtimin e çmimeve çdo ditë, na çmenden. Ma shtrenjtë këtu se në Gjermani. Kam qenë një muaj ditë në Gjermani, pasha Zotin ma lirë aty se këtu. Një rrogë 150 euro, qysh nuk është vështirë. 50 euro veç në barna m’shkojnë“, tha konsumatori – Bajram Vllasaku.

Sipas Agjenciës së Statistikave të Kosovës, ka shtrenjtim të çmimeve të produkteve blegtorale të kësaj periudhe kohore në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, ka edhe rënie të çmimeve të një kategori tjetër të produkteve.

“Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 4,7%. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë.

Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-9.6%). Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë”.

Ndaj këtyre lëvizjeve të çmimeve po kërkohen veprime nga ana e institucioneve.

“Qeveria duhet të identifikojë politika të cilat e stimulojnë biznesin prodhues dhe biznesin vendor, që të paktën produktet e konsumit bazë të jenë më të përballueshme për shportën e konsumit. Apo të tërheq një pjesë të taksave, siç është TVSH, të cilat e bëjnë më të përballueshme shportën e konsumit të produkteve bazë”, tha ekonomisti Bashkim Mustafa.

Megjithë këto çmime, inflacioni për  muajin shtator ka shënuar rënie duke arritur në vlerën 0.2%, derisa për shtatorin e vitit të kaluar ishte 4.2%.