Struga “ilaçi” i Rabotniçkit, Shkëndija lider i renditjes, Shkupi mundet nga Vardari

Java e 14-të e Ligës së parë të Maqedonisë së Veriut, ashtu sikurse edhe e kishim paralajmëruar ishte mjaft interesante me shumë gola të shënuar dhe rezultate që pak a shumë edhe janë pritur, në përjashtim të disfatës së Shkupit që humbi në duelin e derbit të kryeqytetit nga vardari, njofton Telegrafi.

Kampioni aktual Struga ka treguar klasin, duke u bërë ekipi i parë që këtë sezon i dha disfatë Rabotniçkit, që në 13 javë nuk dinte për humbje dhe mbante kryesimin e renditjes. Struga arriti që me vetëm një gol, të shënuar nga Kehinde të merr tri pikë dhe të rrëzojë nga pozita e parë Rabotniçkin dh ët barazohet me ta me nga 25 pikë, duke ndarë pozitën e katërt dhe të pestë.

Nga ana tjetër tani lider i tabelës është Shkëndija e Tetovës, që me rezultat të ngushtë, 4-3 e ka mundur AP Breran, në një ndeshje mjaft dramatike, që deri në fund ishte mjaft interesante. Kuqezinjtë nga Tetova shpejt kaluan në epërsi me golat e Adonis Shalës dhe Florent Ramadanit, por Ristovski dhe Ivkoviç barazuan për Breran. Shkëndija përsëri riktheu epërsinë me Fiton Ademin dhe Ristevskin për 4-2, ndërsa nga penaltia zbuti rezultatin përsëri Ivkoviç për mysafirët. Me këto tri pikë Shkëndija është e para në renditje fal gol diferencës më të mirë se Gostivari dhe Sileksi.

Gostivari nuk tregoi aspak mëshirë ndaj Voska Sportit duke e mundur me rezultat 4-0, Aldair, Diatta dhe dy golat e Simonovskit ishin të mjaftueshëm për tri pikë të reja të Gostivarit që e ngritën në pozitën e dytë.

Skuadra e Shkupit ka vazhduar serinë  e humbjeve, kësaj radhe u mund nga Vardari që kohë të gjatë mbante fundin në renditjen e tabelës. Bardhekaltërtit e filluan mirë derbin me rivalin e tyre të vjetër të kryeqytetit, duke kaluar në epërsi me golin që shënoi japonezi Kanda, por më pas pësoi dy gola të shpejtë me autor Zakariç dhe Nikollovski. Shkupi barazoi me anë të Ibishit, ndërsa Vardari mori tri pikë me golin e Micevskit shtatë minuta para fundit, e që nga Shkupi protestuan për gol të shënuar nga pozitë jashtë loje, por që arbitrat nuk ndryshuan mendje.

Edhe Sileksi ka marrë fitoren e radhës, kësaj radhe e mundi Pelisterin me rezultat minimal 1-0. Ndërkohë ndeshja e vetme që përfundoi pa u shënuar asnjë gol, ishte dueli Tikveshi – Besa.

Kampionati tani do të ketë një pushim prej dy javësh, shkaku i angazhimeve të përfaqësues së Maqedonisë së Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve që luan muajin nëntor. /telegrafi