Gjilani dhe Suhareka ndahen në paqe

Gjilani dhe Suhareka kanë luajtur baras 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Ardian Nuhiut nuk ka arritur përsëri t’i kthehet fitores edhe përkundër ndeshjes si vendas, pasi është ndalur nga ekipi i Qëndrim Kidës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të hapur dhe shumë raste, ku të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 31-të me anë të Nikola Stijepovic, i cili shënoi për 0-1, por Senad Jarovic (36’) barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më kërkuese duke pasur më shumë raste shënimi.

Megjithatë, në këtë pjesë portat mbeten të paprekura dhe ekipet u desh të pajtohen me nga një pikë.

Pas këtij barazimi, Gjilani e sheh veten në pozitën e tetë me 14 pikë, ndërsa Suhareka renditet e pesta me 18 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, gjilanasit udhëtojnë te Feronikeli ’74, ndërsa therandasit e presin Ferizajn. /Telegrafi/