Policia e Kosovës zotohet për angazhime shtesë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtorët rajonalë dhe komandantët e stacioneve policore diskutuan planet strategjike, objektivat specifike si dhe aktivitetet policore të cilat burojnë nga plani zhvillimor strategjik i PK-së, përfshirë strategjinë e policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe policisë në bashkësi.

Hoxha gjatë këtij takimi ka kërkuar zbatimin në përpikëri të planeve dhe objektivave strategjike policore si dhe synimet e planifikuara.

Sipas njoftimit të këtij institucioni, Hoxha ndër të tjera theksoi se përmes zbatimit të ligjit, menaxhimit sa më efikas të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, mbikëqyrjes së performancës së zyrtarëve policorë, mund të arrihen rezultate edhe më pozitive në shumë sfera policore.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim u zotuan për angazhime shtesë, me qëllim të përmbushjes së detyrave dhe obligimeve policore, të cilat janë në interes të qytetarëve dhe të vendit.