Të hënën seanca për buxhetin e Kosovës
Të hënën e javës që vjen deputetët e Kuvendit të Kosovës do t’i kthehen sallës plenare. Aty do të diskutohet vetëm një pikë e rendit të ditës që është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Njoftimi u bë nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se seanca do të jetë më 11 nëntor, duke filluar nga ora 10:00 e paradites.
Më 4 nëntor, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit opozitarët nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm që është parashikuar të jetë 3.6 miliardë euro.
Por, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se e kanë shumicën parlamentare për ta votuar buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm.