Hoti: Qeveria e ardhshme duhet ta kthejë fokusin te Marrëveshja e Washingtonit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se beson që Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin te zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Washingtonit të 4 shtatorit 2020.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës.

“Qeveria e re duhet menjëherë të nisë përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve”.

“Pas krizës energjetike, projekti i gazit ka marrë dimensione të sigurisë kombëtare. Në anën tjetër, hekurudha për Durrës e bën Prishtinën nyje të dy porteve detare, të Selanikut dhe Durrësit dhe portë hyrëse infrastrukturore për më tutje në Ballkan dhe Evropën Qendrore”, ka thënë Hoti.

Ndër tjera, ai ka shtuar se katër vite kanë humbur. Qindra miliona euro investime nuk kanë ndodhur e mijëra vende pune nuk janë krijuar. Kjo duhet të ndryshojë. Projektet infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit i tejkalojnë dimensionet ekonomike – ato janë çështje e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë ekonomike afatgjate të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja e Washingtonit është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, kur president i SHBA-së ishte Donald Trump, i cili ka fituar edhe zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti.