Përballja e finalistëve të “Play-off”-it

Fundjava pritet të sjellë superndeshje në elitën e basketbollit, ku zhvillohet xhiroja e nëntë e ProCredit Superligës.

Dueli i parë dhe derbi i kësaj xhiroje zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, apo finalistëve të “Play-off”-it të edicionit të kaluar, ku “Xehetarët” kishin fituar 3:2 në serinë finale. Therandasit kanë pesë fitore e tri humbje, ndërsa mitrovicasit gjashtë fitore e dy humbje, andaj pritet një takim mjaft interesant. Në duelin e parë të këtij edicioni fituan mitrovicasit 77:67.

Përballje mjaft interesante shihet ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Bashkimit. Kuqezinjtë kanë tri fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit shtatë fitore e një humbje. Humbjen e vetme e pësuan nga Trepça, fundjavën e kaluar. Sfidën e parë e fituan prizrenasit 72:51.

Të dielën do të zhvillohet takimi ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Pejës. Prizrenasit kanë dy fitore e gjashtë humbje, ndërsa pejanët tri fitore e pesë humbje, andaj është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat.

Ndeshja Bora-Sigal Prishtina është shtyrë me kërkesë të Sigal Prishtinës. /Zëri

ProCredit Superliga - Java 9

E shtunë

17:00 Golden Eagle Ylli - Trepça.

19:00 Vëllaznimi - Bashkimi.

E diel

19:00 Proton Cable Prizreni - Peja.