Studentët e UP-së tash e dy ditë bojkotojnë mësimin, shkak afatet e nëntorit dhe prillit
Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” tash e dy ditë janë duke bojkotuar mësimin, kjo pas thirrjeve të Parlamentit Studentor për korrigjimin e një vendimi të rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu, në lidhje me kërkesën e tyre për mbajtjen e afateve shtesë të provimeve, raporton Ekonomia Online.
Përmes një njoftimi në Facebook, Parlamenti Studentor i UP-së ka publikuar një kërkesë të datës 06.11.2024, të cilën e kanë adresuar në Rektorat dhe ku kanë renditur arsyet e tyre për mbajtjen e provimeve shtesë, ato të afatit të nëntorit dhe prillit.
Sipas Parlamentit Studentor, ata kanë pranuar të mërkurën një vendim të nënshkruar nga rektori Hajrullahu për emërimin e Komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës që kanë parashtruar për mbajtjen e afateve shtesë.
Ekonomia Online ka qëndruar sot në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Filologjik në UP, ku sipas pamjeve shihet se studentët janë duke bojkotuar mësimin.
Njoftimi i plotë i Parlamentin Studentor:
THIRRJE PËR BOJKOTIM TË MËSIMIT
Të nderuar studentë,
Sot zyrtarisht pranuam vendimin e nënshkruar nga Rektori për emërimin e komisionit të përkohshëm për shqyrtimin e kërkesës tonë mbi afatet shtesë dhe vlerësimin e vazhdueshëm që pritet të mbahet këtë javë.
Shprehim shqetësimet tona lidhur me ndryshimin e pikës mbi afatet shtesë të votuara në mbledhjen e kaluar të senatit më datë 30.10.2024.
Votimi ka qenë për kërkesën për afatet shtesë dhe jo sikur në vendimin që pranuam sot ku Rektori emëroi Komisionin për çështjen e vlerësimit të vazhdueshëm dhe kërkesën për NJË AFAT SHTESË.
Ne si Parlament Studentor në mënyrë kategorike kundërshtojmë këtë vendim dhe kërkojmë korrigjim të kësaj pike nga “NJË AFAT SHTESË” në DISKUTIMET MBI AFATET SHTESË (Afati Nëntorit dhe i Prillit). Kjo ka dallim substancial.
Andaj, Parlamenti Studentor ju bënë thirrje për bojkot të mësimit të gjithë studentëve deri në korrigjim të pikës së lartcekur, në rast se nuk pranojmë përgjigje për këtë çështje deri në mbledhjen e Komisionit (ditë e premte, 8 nëntor), java e ardhshme do të na gjejë me protesta masovike në hapësirat e UP-së!
Të bashkëngjitur e gjeni kërkesën tonë mbi afatet shtesë dhe vendimin e fundit në fjalë të Rektorit!