Vajza transgjinore e Elon Muskut pas fitores së Trumpit: S’e shoh të ardhmen në SHBA

Vajza transgjinore e Elon Muskut, Vivian Jenna Wilson (20), shprehu shqetësimin për të ardhmen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas zgjedhjes së Donald Trumpit në rolin e presidentit.

“Unë kam menduar për këtë për një kohë, por dje u konfirmua përfundimisht”, shkroi Wilsoni të mërkurën përmes platformës Threads.

“Unë nuk e shoh të ardhmen time në Shtetet e Bashkuara. Edhe nëse Donald Trump qëndron në pushtet për vetëm katër vjet, edhe nëse ligjet antitrans nuk zbatohen për mrekulli, njerëzit që e zgjodhën vullnetarisht nuk do të zhduken kaq shpejt”, shtoi ajo.

Wilsoni është një nga gjashtë fëmijët që Musku ndan me gruan e tij të parë, Justine Wilson dhe Musk thuhet se nuk e mbështeti në tranzicionin e saj.

Elon Musk ka deklaruar se asaj i është shpërlarë truri nga propaganda e majtë që çoi në ndryshimin e gjinisë së saj.

Trumpi është zotuar që do t’i japë fund lejimit që të miturit të kalojnë në tranzicionin e gjinisë.