Vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në bjeshkën e Lybeniqit, kërkohet ndihmë edhe nga qytetarët
Përpjekjet e pjesëtarëve të Shoqatës Bjeshkatare Alpiniste Lybeniqi, për shuarjen e zjarreve në bjeshkën e Lybeniqit të Pejës, ka vazhduar edhe sot.
Për shkak të përmasave të zjarreve dhe përkeqësimit të situatës, anëtarët e shoqatës, përmes një postimi në Facebook, kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen përpjekjeve të tyre dhe të japin ndihmën e nevojshme për të vënë flakët nën kontroll.
“Duke e parë se gjendja me zjarre në bjeshkën e Lybeniqit është duke u përkeqësuar shumë, nesër ditë e premte në ora 12:30 për të gjithë ata që kanë mundësi të marrin pjesë ne shuarjen e zjarreve, kërkohet përgatitje fizike e mirë për arsye të terrenit të vështir. Ju lutem të keni mbathje të forta për ecje dhe maska adekuate kundër tymit”, thuhet ndër të tjerash në njoftim. /Zëri