Edhe PDK-ja dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Ligji për Zyrtarët Publikë, i miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky veprim synon të parandalojë politizimin e administratës publike dhe të mbrojë meritokracinë dhe pavarësinë e saj.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar muaj më parë, sot e dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin që shumica parlamentare e miratoi javën e kaluar dhe me të cilin ndryshohet dhe plotësohet Ligji në fuqi për Zyrtarët Publikë,” tha Tahiri, duke theksuar shqetësimet e partisë për ndikimin politik mbi administratën.

Tahiri përmendi aktgjykimin e verës së vitit 2023, kur Gjykata Kushtetuese kishte konfirmuar “në tërësi pretendimet” e PDK-së, duke i kërkuar Kuvendit të adresojë shkeljet brenda gjashtë muajve.

Ai kritikoi vonesën e Kuvendit për përgatitjen e ligjit të ri dhe shtoi se jo vetëm që nuk i kanë përmbushur kërkesat e Kushtetueses, por edhe i kanë përsëritur të njëjtat shkelje.

“Sot, rreth një vit e gjysmë më vonë, jo vetëm që dështuan ta përgatisin me kohë ligjin e ri, por akoma më keq, i përsëritën një pjesë të shkeljeve në të njëjtën mënyrë,” tha Tahiri, duke theksuar se ky veprim është dëshmi e angazhimit të PDK-së për të mbrojtur rendin kushtetues.

Tahiri e përshkroi ligjin si një “investim afatgjatë të shtetit dhe i partnerëve tanë” dhe përsëriti përkushtimin e partisë për të parandaluar çdo “presion apo agjendë politike” mbi administratën publike.

Ndërkaq, edhe LDK-ja gjatë ditës e ka dërguar ligjin e njëjtë në Kueshtetuese.

Deputeti Armend Zemaj para mediave tha se LDK mendon se nuk duhet të jetë një administratë e politizuar, e cila dëmton edhe Kosovën, transmeton Telegrafi.

“LDK, bashkë me ekspertët tanë dorëzuam kundërshtimin tonë për plotësim/ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë. Një ligj i cili ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, dhe i cili poashtu ka qenë edhe si vendim i Gjykatës Kushtetuese për papranueshmërinë e disa akteve të cilat kanë të bëjnë me ndërhyrje në administratën publike”, u shpreh Zemaj.

Tutje, ai shtoi se deri tani është investuar që administrata të jetë e pavarur.

Më 30 tetor, deputetët e pushtetit miratuan ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë, që mes tjerash, lejojnë mbajtjen e pozitës së ushtruesve të detyrës një vjet plus një vjet, nga 6 plus 6 muaj sa është tash.

Gjatë votimit të këtij Ligji, deputetët e opozitës nuk ishin në seancë.

Megjithatë, në deklarimet e tyre, kishin kritikuar qasjen e Qeverisë për ndryshimin e këtij ligji.