KAS-i i reagon FFK-së, kërkon të mos ketë paragjykime dhe tendenca
Pas Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), tani edhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (KAS) kanë reaguar ndaj akuzave të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
KAS-i, pjesë e KOK-ut, i ka quajtur paragjykuese dhe tendencioze kritikat e FFK-së.
Në reagimin e tyre, KAS-i thekson se kryetari Eroll Salihu nuk ka ndikuar në vendimin pro klubit Prishtina, që ishte ankimuar pas moslicencimit për garat evropiane 2023/2024 nga FFK-ja.
Të martën, KAS-i vendosi në favor të Prishtinës, duke anuluar vendimin e FFK-së të datës 26 maj 2023.
FFK-ja ka akuzuar Salihun për ndërhyrje dhe pretendon se vendimi dëmton drejtësinë sportive. FFK-ja ka paralajmëruar padi dhe kallëzim penal ndaj KAS-it dhe do të njoftojë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë për vendimin e marrë në favor të Prishtinës.
“KAS, deklarimet e tilla të pavërteta i konsideron të qëllimshme dhe tendencioze në drejtim të punës së suksesshme të këtij institucioni, duke vlerësuar se sulmet e tilla, përveç tjerash kanë për qëllim edhe dezinformimin e opinionit publik, pengimin në punë dhe dëmtimin e imazhit të KAS-it”.
“Nisur nga fakti se nuk është hera e parë që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga FFK-ja, KAS i bën thirrje FFK-së dhe të gjithë personave të tjerë që kanë synim pengimin e këtij institucioni në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta dhe tendencioze”, shkruan në reagimin e KAS-it.
KAS-i ka insistuar se është institucion kredibil dhe kompetent për të vendosur drejtësinë sportive. KAS pret që vendimi i tij të zbatohet nga FFK-ja”.
“Këshilli i Arbitrazhit Sportiv bën apel për zbatimin e vendimeve të tij nga të gjitha palët e përfshira në procesin sportiv. Zbatimi i këtyre vendimeve është thelbësor për ruajtjen e integritetit të sistemit sportiv dhe për të siguruar drejtësi për të gjithë”.
“Për më tepër, KAS siguron opinionin publik, se sulmet e tilla, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë në punën, profesionalizmin dhe funksionimin e tij. KAS si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet, do të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi për të mbrojtur interesin e sportit dhe të sportistëve”, shkruan në reagimin e KAS-it.
Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës, nuk ishte licencuar nga FFK-ja për edicionin 2023/2024 të garave të UEFA-s.
Ai vendim ia mohojë Prishtinës paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës dhe tani pritet t’i kërkojë deri 3.6 milionë euro kompensim nga FFK-ja.