Gjendet i vdekur një 37-vjeçar në Gjilan, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri

Një 37-vjeçar është gjetur pa shenja jete të enjten në Gjilan. Dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se rasti ka ndodhur në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”.

Ju njoftoj se më datën 07.11.2024, rreth orës 13:52, kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës “Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes së bashku me një ekip nga Emergjenca e Spitalit të Gjilanit, të cilët ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës, i vitit të lindjes 1987, është qëlluar nga armë zjarri”, konfirmoi Hashani.

Ai shtoi se në koordinim me prokurorin e Shtetit, Njësiti i Hetimeve Rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, tha Hashani. /BetimipërDrejtësi