Vdekja e 21-vjeçarit në aksident, babai dyshon për mossinjalizim të rrethrrotullimit që po ndërtohet

Naser Istrefi, babai i 21-vjeçarit që vdiq mbrëmë si pasojë e vetaksidentit me fatalitet, ka fajësuar institucionet dhe kompaninë punë kryese për mossinjalizim të rrethrrotullimit që po ndërtohet, sipas tij pa asnjë standard në Pestovë të Vushtrrisë.

Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ndërsa 21-vjeçari Ahmet Istrefi ka vdekur në QKUK, pasi nuk ka arritur t’i përballojë plagët.

Familja Istrefi sot ka hapur të pamen.

Në një intervistë për Ekonominë Online, Naser Istrefi, babai i 21-vjeçarit, ka thënë se kompania punëkryese po mundohet ta mbulojë fajin e saj, duke vendosur shenja mëngjesin e sotëm.

“Momentin e kemi kuptuar pas darkës përmes nipit dhe e kanë lajmëruar se ka bërë aksident te rrethi i Pestovës, i cili rreth siç duket nuk është i mbrojtur as me shenja (komunikacioni) e as me asgjë”, tha ai.

“Ka video që janë bërë para tyre dhe mendoj që këta po mundohen ta mbulojnë gabimin e tyre. Ka incizime të mëhershme që aty shenja e as mburojë nuk ka pasur”, shtoi Istrefi.

Ai ka thënë se nuk është kontaktuar as nga niveli qendror e as ai lokal. Ndërsa, ka theksuar se i ndjeri përkundër që është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë, nuk ka mundur t’i përballojë plagët.

Ai kërkon nga organet e shtetit që të mos e lënë në harresë vdekjen e të birit të tij, por të hetohet më tej.

“Ne kemi qenë në spital, gjendja e tij ka qenë e rëndë, ka hyrë në operacion, por trupi i tij nuk ka mundur ta përballojë dhe ka ndërruar jetë. Nëse vazhdon ky sistem do të mbetet (në heshtje ky rast). Nëse organet zgjohen dhe kisha dashtë të zgjohen dhe të mos mbesë ky rast nën harresë”, ka thënë Istrefi.

Vendi i aksidentit