Gërvalla në Lituani, përfaqëson Kosovën në Forumin e Nivelit të Lartë për të Ardhmen e Demokracisë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Lituani.
Gërvalla do të marrë pjesë në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, që do të mbahet më 7 dhe 8 nëntor 2024 në Vilnius, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.
“Pjesëmarrja e ministres Gërvalla në këtë forum përfaqëson përkushtimin e Kosovës për avancimin e demokracisë dhe përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Tutje thuhet se gjatë forumit ministrja Gërvalla do të theksojë progresin e Kosovës në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror për të mbrojtur demokracinë përballë ndikimeve destabilizuese nga regjimet autokratike.
“Në një kohë kur sfidat dhe rreziqet ndaj vlerave demokratike po rriten, kjo konferencë është një platformë e rëndësishme për të afirmuar rolin e Kosovës në mbështetje të stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe evropiane”, thotë MPJD-ja. /Zëri