“SHBA-ja pritet ta rrisë presionin për marrëveshje finale Kosovë – Serbi”

Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të madh karshi politikes së deritashme amerikane për Kosovën, thotë Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë më bazë në Uashington.

Shtuni thotë se në raportet me Kosovën, SHBA-ja do të këtë një përqendrim më të madh në çështjen e dialogut mes Kosovë dhe Serbisë, duke mos përjashtuar rritjen e presionit për përfundimin e procesit të dialogut në Bruksel.

“Politika e Jashtme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është mbipartizane tradicionalisht, por drejtohet nga presidenti, por formulohet në bazë të interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe në bashkëpunim të ngushtë midis të dyja palëve, anëve të spektrit politik të Shteteve të Bashkuara. Pra, të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim, pra dramatik nga kjo administratë në administratën e ardhshme. Sigurisht se çdo president ka strategjinë dhe mënyrën e vet, preferencën e vet se si do të zbatojë përparësitë e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Por mendoj se prioritetet në Shtetet e Bashkuara do t ë vazhdojnë të jenë të njëjta edhe në administratën e ardhshme të zotit Trump sa i përket Kosovës pa ndonjë ndryshim thelbësor. Theksi do të jetë tek normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet dialogut me qëllimin final për të arritur tek njohja reciproke”, ka thënë Shtuni ndër të tjerash në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.