ATK-ja tregon për shkallën e të hyrave tatimore në periudhën janar-tetor

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se ka shënuar rritje në mbledhjen e të hyrave për periudhën janar-tetor 2024, siç thuhet duke mbledhur 83.5 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Të hyrat totale për dhjetë muaj kanë arritur në 821.3 milionë euro tatime. Kjo rritje paraqet një progres të dukshëm në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e mbledhjes së të hyrave dhe rritjen e efikasitetit në ATK”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se përmbushja vullnetare e obligimeve tatimore vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit të paguajnë shumën e saktë të obligimeve tatimore, por edhe ndërmarrja e veprimeve të duhura ligjore ndaj tatimpaguesve mospërmbushës mbetet prioritet.