“Politico” publikon kabinetin e mundshëm të Trump II, kjo është pozita për të cilën po flitet Grenelli
Gazeta amerikane “Politico” ka shkruar për emrat e mundshëm, të cilët pritet të jenë pjesë e kabinetit të Donald Trumpit, pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Pozita më e përfolur është ajo e Sekretarit të Shtetit.
Sipas “Politico”-s, për këtë pozitë janë pesë emra të mundshëm, mes tyre Richard Grenell, ish-emisari për dialogun Kosovë - Serbi dhe Robert O’Brien, ish-këshilltar i Trumpit për Siguri Kombëtare, i cili ka qenë gjithashtu i përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.
Përveç Grenellit dhe O’Brienit, për këtë pozitë përfliten edhe Bill Hagerty, Marco Rubio dhe Mike Waltz.
Gazeta amerikane shkruan se përzgjedhja e Trumpit për sekretarin e Shtetit do të shikohet me shumë vëmendje nga Evropa, pas deklaratave që ka dhënë për NATO-n dhe për çështjen e armatimit për Ukrainën.
Emri i ri i sekretarit të Shtetit po pritet me shumë interes edhe nga klasa politike kosovare, pasi Qeveria aktuale në krye me kryeministrin Albin Kurti kishte pasur përplasje të vazhdueshme me ish-administratën e Trumpit dhe ish-emisarin Richard Grenell gjatë kohës sa ky i fundit ndërmjetësonte dialogun Kosovë - Serbi.
Sa i përket pozitës të Sekretarit të Thesarit, sipas “Politico”-s emrat potencialë janë: Howard Lutnic, Robert Lighthizer, Jay Clayton, Larry Kudloë, John Paulson, Scott Bessent dhe Bill Hagerty.
Për pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes, post ky shumë i rëndësishëm, sipas gazetës amerikane do të jenë pretendentë Mike Waltz, Tom Cotton dhe Mike Pompeo.