Rama thotë se përkrahet nga Lumiri që të kandidojë edhe për një mandat për kryetar të Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, në një prononcim për media, ka thënë se e ka përkrahjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku që të jetë kandidat edhe për një mandat për kryetar të kryeqytetit.

Ai këto deklarata i bëri pas nisjes së punimeve për projektin “Ndërtimi i Ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me raportet e tij me kryetarin e LDK-së, ai u përgjigj se çdoherë kanë pasur marrëdhënie të mira me të dhe se ky raport sipas tij po vazhdon ende.

“Ne kemi pasur marrëdhënie të mira. Secili punën e vet, unë si kryetar i kryeqytetit me projekte të mëdha në transformim të kryeqytetit, Lumiri me punët e veta me LDK-në, që të dërgoj përpara aspektin e programeve, ju e dini që kemi garuar se bashku kemi programin e njëjtë të transformimit të kryeqyteti. Patjetër që po”, ka thënë ai.

Rama po ashtu u ka bërë thirrje partive opozitare të votojnë buxhetin e Komunës, kjo pasi sipas tij ata janë duke bllokuar transformimin e kryeqytetit.

“Prapë po them, i bëjë thirrje opozitës që të jenë konstruktiv, jo destruktiv, sepse nuk ka asnjë arsye që asamblistët e opozitës ta komprometojnë zhvillimin edhe transformimin e kryeqytetit nëpërmjet bllokada të ndryshme sikur se është edhe mosvotimi i buxhetit”, tha ai. /EO