Policia gjermane: I dyshuari për vrasjen e gruas në Dortmund tentoi të ikte për në Maqedoninë e Veriut

Në orët e pasdites së të hënës, në Dortmund ka ndodhur një rast tragjik.

Policia ka konfirmuar se një grua është therur për vdekje, ndërsa i dyshuar kryesor për këtë rast është ish-bashkëshorti i saj.

Madje policia tha se dyshohet që vepra të jetë kryer në sy të tre fëmijëve të tyre.

I dyshuari është arrestuar gjatë natës në një operacion policor në autostradën në Franconia.

Mediat në Gjermani raportuan se i dyshuari është me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

E për Klankosova.tv, Policia në Dortmund ka konfirmuar se i dyshuari ka tentuar të ikë për në Maqedoninë Veriore.

“Mund të konfirmojmë se i dyshuari ka tentuar të ikë në Maqedoninë Veriore. Kjo është arsyeja pse ne e kemi kërkuar në autostradë në Gjermaninë jugore”, ka thënë Policia gjermane.

RTL ndërkaq raportoi se viktima ishte gjetur me thikë në trup në shkallët e ndërtesës.

E njëjta ka vdekur në spital, duke mos arritur t’iu mbijetojë plagëve, edhe përkundër ndërhyrjes së ekipit mjekësor.