Dortmund: Një burrë nga Maqedonia e Veriut theri për vdekjen ish-gruan e tij në sy të tre fëmijëve

Një ngjarje tragjike raportohet të ketë ndodhur të hënën (4 nëntor) në Dortmund, Gjermani.

Siç raportojnë mediat atje, një grua është therur për vdekje në apartamentin e saj nga ish-bashkëshorti i saj 33-vjeç me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ndërsa viktima është gjetur te shkallët e ndërtesës.

Media gjermane RTL raporton se ajo ka vdekur pak kohë më pas.

“30-vjeçarja nuk u mbijetoi plagëve të marra dhe vdiq në spital”, tha një zëdhënës i policisë të martën.

Sipas informacioneve nga prokuroria publike, fëmijët (3, 4 dhe 6 vjeç) të 30-vjeçares kishin lajmëruar fqinjët. Ata kishin thirrur për ndihmë.

Rastin e ka konfirmuar edhe policia në Dortmund, e cila, ku përmes një njoftimi për media ka thënë se “sipas gjetjeve fillestare, ish-bashkëshorti e ka vrarë gruan në prani të tre fëmijëve të tij”.

RTL ndërkaq raportoi se kur u gjet gruaja te shkallët, thika ishte ende në trupin e saj.

Mësohet se ish-bashkëshorti e ka vizituar gruan në banesën e saj të hënën (4 nëntor) rreth orës 18:10 dhe e ka goditur me thikë. Menjëherë pas krimit, ai është arrestuar rrugës për në Wurzburg.

RTL-it, prokuroria i ka konfirmuar se çifti kanë jetuar të ndarë.

Policia ndërkaq njoftoi se i dyshuari është kapur gjatë natës gjatë një operacioni në autostradën në Franconia.

“Me urdhër të zyrës së prokurorit të Dortmundit, gjykata e Qarkut të Erlangen lëshoi urdhër arrest të martën. Aktualisht i dyshuari është në ndalim në qendrën korrektuese të Nurembergut. Ai do të transferohet në Dortmund në një datë të mëvonshme”, njoftoi Policia. /Klankosova.tv