Kurti: Kujdes shoqëror dhe drejtësi shtetërore për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni Jahjaga, me temën “Avancimi i Rolit të Gruas, Paqes dhe Sigurisë”, që u mbajt në Prishtinë.

Në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se shënimi 25-vjetorit të përfundimit të luftës dhe çlirimit të vendit tonë këtë viti ishte përplot me ngjarje reflektimi dhe frymëzimi, siç është edhe kjo e sotmja, e organizuar nga Fondacioni Jahjaga.

E ndërsa punojmë për të ardhmen, kryeministri Kurti potencoi se është thelbësore ta kujtojmë të kaluarën, sfidat e përjetuara dhe guximin e jashtëzakonshëm që ka treguar populli ynë, e në veçanti gratë e Kosovës.

“Rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmojnë se të gjitha plagët kërkojnë edhe kujdes shoqëror edhe drejtësi shtetërore. Na përkujtojnë se mbështetja ndaj të mbijetuarave është obligim e detyrë e përbashkët, që kërkon përkushtim të përhershëm. Zëri i tyre është thelbësor në proceset tona të drejtësisë tranzicionale, që njohin dhembjen e së kaluarës dhe inkurajojnë për shpresë drejtë së ardhmes”, u shpreh kryeministri.

Fjalën e tij e vijoi duke theksuar se është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka filluar dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe qeveria po mbështet aplikimin e të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, duke financuar organizatat e autorizuara.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se derisa shënojmë 25 vjet liri e paqe, kujtojmë të gjitha viktimat dhe të mbijetuarat, dhe nderojmë qëndresën e grave dhe të vajzave pa dallim, që mbi shkatërrimin e luftës, po ndërtojnë paqen e tashme dhe të së ardhmes.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që gratë dhe vajzat, nga çdo komunitet, të kenë të njëjtat mundësi dhe mbështetje dhe se agjenda për barazi, përtej së qeni një premtim i së ardhmes, është angazhim i yni i përditshëm.

Kështu duke punuar bashkë për të tashmen, po i ngrisim të fortë e të qëndrueshëm themelet e barazisë mes individëve e të paqes midis popujve, që t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi secilën e secilin, përfshirë Fondacionin Jahjaga, për kontributin për Republikën tonë, duke siguruar se jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të cilat janë ideale tona të përbashkëta. /Zëri