Trumpi thotë se do ta pranonte humbjen “nëse do të ishin zgjedhje të drejta”

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump tha se ai do të ishte i përgatitur të pranonte humbjen pas votimit të së martës “nëse janë zgjedhje të drejta”, ndërsa përsëri ngriti shqetësimet për përdorimin e makinerive elektronike të votimit.

“Nëse humbas zgjedhjet, nëse janë zgjedhje të drejta, do të isha i pari që do ta pranoja… Deri më tani mendoj se ka qenë e drejtë”, citohet të ketë thënë Trump, duke përsëritur një paralajmërim që e ka përdorur shumë herë gjatë fushatës.

I veshur me një kapelë të kuqe me mbishkrimin “Make America Great Again”, ai përsëriti kritikat e tij të mëparshme ndaj makinerive elektronike të votimit, duke sugjeruar se ato ishin më pak të sigurta se fletëvotimet në letër dhe do të vononin shpalljen e rezultatit.

Ai është pyetur edhe për frikën e trazirave pas zgjedhjeve dhe nëse do t’u bënte thirrje mbështetësve që të shmangin dhunën.

“… Sigurisht që nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë njerëz të dhunshëm”, tha Trump. /Telegrafi