Vuçiqi shefit të BE-së: Ne e shohim ndryshe situatën rreth Kosovës dhe përgjegjësinë rreth Banjskës

Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuele Giaufret, i ka dorëzuar gjatë ditës presidentit të këtij vendit, Alleksandar Vuçiq, Raportin Vjetor të Komisionit Evropian.

Në konferencën e tyre të përbashkët, shefi i shtetit serb foli edhe për Kosovën.

Ai tha se është e rëndësishme që në Serbi të flitet për çështjen e BE-së në mënyrë më objektive. “Kjo nuk ka të bëjë me Kosovën dhe nuk ka të bëjë me politikën e jashtme, por fajin e ka gjithmonë BE-ja”, tha Vuçiqi, raporton “Politika”, transmeton Klankosova.tv.

Ai falënderoi KE-në për raportin e dorëzuar dhe theksoi se nuk kishte kundërshtime për atë që kishte parë.

“Ka gjëra që janë krejtësisht të qarta, që nuk i kemi përmbushur. Ato kanë të bëjnë me harmonizimin e politikës sonë të jashtme, në radhë të parë në lidhje me vendosjen e sanksioneve kundër Federatës Ruse, vendosjen e vizave për disa vende…”, tha Vuçiqi mes tjerash.

Më tutje, ai tha se “kemi disa dallime kur bëhet fjalë se si e shohim Kosovën, por kjo nuk është specifikuar dhe theksuar në mënyrë të veçantë”.

“Ne gjithashtu besojmë se dialogu është zgjidhja e vetme për të arritur një kompromis në çfarëdo mënyre dhe mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi”, tha Vuçiqi.

Ai theksoi se në Raportin e KE-së ka gjëra të rëndësishme që janë vendosur, por edhe të vështira.

“Sigurisht që ne e shohim ndryshe situatën rreth Kosovës dhe përgjegjësinë rreth Banjskës, por i kemi kuptuar vërejtjet e BE-së”, tha presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.