Majore Manushaqe Nura, përshëndetet me uniformën e FSK-në

Majore Manushaqe Nura ka bërë të ditur se është përshëndetur përfundimisht me uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, ajo shprehu emocionet e saj duke theksuar se po largohet me ndjenja të përziera, por me kokën lart dhe me respektin e fituar nga kolegët e saj.

“Pas thuajse gjysmë jete në shërbim, sot po përshëndetem me uniformën, FSK-në. Modestinë do ta ruaj edhe sot, por e rëndësishme është të ndaj me ju që po dal ballëhapur dhe e respektuar nga të gjithë,” tha Nura, duke e përshkruar këtë si një moment të vështirë, por të domosdoshëm.

Ajo shprehu mirënjohje të thellë ndaj shtetit të Kosovës për mundësitë e ofruara gjatë shërbimit të saj, fillimisht si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe më vonë në FSK, ku arriti zhvillim profesional dhe u shkollua në institucione të shquara vendore dhe ndërkombëtare.

Nura gjithashtu falënderoi familjen e saj për mbështetjen e palëkundur dhe veçanërisht bashkëshortin e saj, Azdrenin, i cili, sipas saj, ka sakrifikuar shumë për t’i dhënë përparësi karrierës së saj ushtarake.

Edhe pse nuk do të ndjekë më rutinën e përditshme të shkuarjes në kazermë, ajo theksoi se FSK-ja do të mbetet gjithmonë shtëpia e saj e dytë, duke kujtuar miqtë dhe kolegët e saj të dashur.

“Brenda atyre rrethojave gjendet një brez i artë i rinisë së Kosovës, për të cilët do të jem krenare kudo që të më gjejë jeta,” përfundoi Nura, duke theksuar moton “Një për të gjithë, të gjithë për një!”