Ariana Grande ndryshon mbiemrin e saj pasi u pajtua me të atin
Këngëtarja dhe aktorja Ariana Grande ka ndryshuar mbiemrin e saj në fundin e filmit “Wicked”, pasi është pajtuar me babanë e saj.
Sipas E! News, emri që shfaqet në fund të filmit është Ariana Grande-Butera.
Emri i plotë i këngëtares është një kombinim i mbiemrit të nënës së saj, Joan Grande, dhe babait, Ed Butera. Ndryshimi i emrit vjen pas rregullimit të marrëdhënies së Arianës me babanë e saj, me të cilin ajo kishte ndërprerë kontaktet në vitin 2013.
Ed dhe Joan u ndanë kur Ariana ishte vetëm tetë vjeçe. Më parë, këngëtarja e ka quajtur konfliktin me të atin një nga sfidat më të vështira në jetën e saj.
“E ndërpreva kontaktin me babain një vit më parë. Është diçka private… M’u desh shumë kohë për t’u pajtuar me këtë gjë”, tha ajo për revistën Seventeen në 2014. Ajo shtoi se kishte trashëguar disa tipare nga i ati, gjë që për një kohë të gjatë nuk i kishte pëlqyer.
Ariana, e lindur më 26 qershor 1993 në Boca Raton të Floridës, vendosi të përdorë mbiemrin e nënës pas divorcit të prindërve. Megjithëse për vite të tëra ishin të ftohur, vitet e fundit ajo shpesh poston fotografi të babait gjatë festave ose për t’i uruar ditëlindjen. Ata pozuan së bashku edhe në ndarjen e çmimeve “Grammy” në vitin 2020.
Gjatë xhirimeve të muzikalit “Wicked”, Ariana u afrua me kolegun e saj, Ethan Slater. Vitin e kaluar, ajo u divorcua nga Dalton Gomez, dhe pak muaj pas divorcit filloi një lidhje me Ethan.
Deri në shtator të këtij viti, Ethan ishte zyrtarisht i martuar me Lilly Jay. Kur Ariana filloi lidhjen me Ethanin, thuhet se ai dhe Lilly jetonin të ndarë. Burime të afërta me Arianën dhe Ethan-in kanë mohuar zërat se kanë tradhtuar partnerët, duke theksuar se janë afruar romantikisht vetëm pasi të dy ishin të lirë nga lidhjet e mëparshme. /telegrafi