Fillon pilotimi i skemës së asistencës sociale, rreth dy mijë familje nga grupi i parë do të përfitojnë mbështetje financiare

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar fillimin e pilotimit të skemës së reformuar të asistencës sociale, përmes së cilës do të përfitojnë 1.824 familje në nevojë nga grupi i parë.

Reforma synon të ofrojë mbështetje më gjithëpërfshirëse dhe të largojë kriteret diskriminuese që kanë ekzistuar më parë në këtë skemë.

Murati theksoi se një aspekt i rëndësishëm i reformës është regjistrimi i të gjithë anëtarëve të aftë për punë si punëkërkues në Agjencinë e Punës.

“Përmes këtij veprimi, do të sigurohemi t’i mbështesim ata të aktivizohen në tregun e punës, duke i ndihmuar familjet të krijojnë vetëqëndrueshmëri financiare në afatgjatë”, deklaroi Murati.