Ademi reagon pas afisheve nga tifozët e Sparta Pragës, paralajmëron ankesë në UEFA
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi ka reaguar pas skandalit në Çeki, më saktësisht në ndeshjen e gjigantit çek Sparta Pragë.
Tifozët e Sparta Pragës kanë bërë një skandal të madh, ku duke treguar mbështetjen e tyre për futbollistin serb, Velko Birmancevic, vendosën disa afishe me një mbishkrim anti-Kosovë.
Përkundër se te Sparta Pragë luajnë dy reprezentuesit e Kosovës, Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi, si dhe dy të Shqipërisë, Indrit Tuci e Qazim Laçi.
Ademi ka thënë se do t’i adresohet UEFA-s për të bërë ankesë.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:
Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit në kampionatin çek, i cili prek dhe sfidon identitetin tonë shtetëror dhe është fyes ndaj futbollistëve tanë. Ky veprim është i papranueshëm dhe nuk përkon me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë.
Ne besojmë dhe e promovojmë futbollin si një platformë për bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes popujve. Prandaj, kërkojmë që çdo provokim i tillë të shmanget në frymën e këtyre vlerave, në mënyrë që futbolli të mbetet shembull i unitetit dhe respektit, pavarësisht dallimeve.
Gjithashtu, u bëj thirrje futbollistëve tanë që përfaqësojnë Kosovën me krenari në klubet e tyre, që të vazhdojnë të mbeten të përkushtuar dhe profesionistë, duke mos u ndikuar nga provokime të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që ata përballojnë dhe i mbështesim me gjithë zemër në çdo hap të karrierës së tyre.
Në këtë frymë, u drejtohem drejtuesve të klubit Sparta Pragë, si dhe mikut tim Petr Fousek, president i federatës çeke, duke u kërkuar që t’i ndalojnë këto provokime dhe të mbrojnë futbollistët shqiptarë, të cilët janë shembull i profesionalizmit dhe angazhimit në fushën e blertë.
Me këtë rast u them Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit, Qazim Laçit dhe Indrit Tucit; Jini krenarë për kombin dhe shtetet që përfaqësoni. Shqipëria dhe Kosova janë faktorë të rëndësishëm në futboll dhe profesionalizmi juaj do ta bëjë futbollin tonë të jetë primar në Evropë.
Uroj që suksesi t’ju ndjekë gjithmonë, teksa FFK-ja do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta.
Kosova është një realitet i pakthyeshëm
Kjo ankesë do të adresohet edhe në UEFA, në kompeticionet e klubeve, duke kërkuar që të merren masa në ndalimin e veprimeve të tilla.