Një muaj pa paga, Sindikata e PTK-së fton Prokurorinë të marrë masa

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës ka bërë të ditur se tashmë është bërë një muaj që kur PTK-së i është bllokuar llogaria bankare, një veprim i ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile-it.

Përmes një njoftim për medie, mësohet se nga ky akt kanë mbetur mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të Telekomit të Kosovës.

“U bënë një muaj që nga bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës, një veprim i ndërmarrë nga përmbaruesi me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile, një kompani kriminale që ka vepruar përmes kontratave të dyshimta dhe të bazuara në korrupsion. Ky akt i paprecedent ka lënë mijëra punëtorë pa paga mujore dhe ka bllokuar funksionimin e përditshëm të, Telekomit të Kosovës, duke krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se Federata Sindikale e Pavarur e PTK-së ka apeluar nga Prokuroria të nisë hetimet, të marrë masa për shkëputje të plota kontratash, sipas Sindikatës, të dyshimta kriminale,në mënyrë që të rikthehet “integriteti dhe transparenca e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë”.

“Si përfaqësues të punëtorëve, ne jemi të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në kërkimin e drejtësisë për një kompani që ka mbetur peng i lidhjeve kriminale dhe korruptive. Në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovës, kërkojmë që ky abuzim i hapur të marrë fund dhe që drejtësia të vihet në vend”, thuhet në fund të njoftimit.